Rossi shfaqet entuziast për ndryshimet tek Yamaha

Sport

Valentino Rossi e nisi sezonin e ri me dy podiume, por veterani italian ende nuk ka arritur të bëjë rikthimin e madh si fitues i një gare. Mes problemeve të motorit Yamaha dhe rinovimit të kontratës, Rossi është përpjekur gjithmonë të marrë më të mirën nga garat që ka zhvilluar. Së fundmi, Yamaha ka treguar një progres të theksuar, aq sa më shumë se kurrë përgjatë këtyre sezoneve, marka japoneze duket se po e kalon krizën e thellë. Për këtë është bindur edhe vetë Rossi, i cili është shfaqur mjaft i lumtur për përmirësimet që janë bërë tek motori i tij. Italiani u shpreh se këto janë ndryshimet që ai kishte kërkuar prej më shumë se 2 vitesh e gjysmë nga inxhinerët e skuadrës së tij, por asnjëherë nuk kishte marrë një përgjigje të tillë.

Rossi zbuloi se tashmë ndihet më mirë dhe më i lirshëm kur piloton Yamahan dhe shpreson që deri në fundin e sezonit aktual të kenë arritur përmirësime të dukshme. Siç ka ndodhur në vitet e fundit, edhe pse jemi vetëm në mesin e sezonit, vëmendja e Yamahas duket se ka kaluar tek sezoni i ardhshëm dhe rezultatet e kënaqshme gjatë garave të fundit, kanë rindezur shpresat e drejtuesve për të bërë një rikthim si skuadër pretendente. Aktualisht, Valentino Rossi numëron 116 pikë në renditjen e përgjithshme për pilotë, 2 më pak se shoku i tij i skuadrës Maverick Vinales, i cili ndryshe nga ‘doktori’, ia ka dalë mbanë që gjatë këtij sezoni të marrë një fitore.