Rossi nuk impresionohet nga testet e motorit të ri të Yamahas

Sport

Gara e Brnos nuk shkoi ashtu si Valentino Rossi mund ta kishte menduar, me veteranin italian që e mbylli vetëm në vendin e gjashtë. Piloti i Yamahas pati thënë përpara garës së ndihej vërtet mirë dhe pretendonte një podium, por reshjet e shiut duket se prishën planet e ‘doktorit’. Gjatë kësaj jave, Rossi do të qëndrojë në cirkuitin e Brnos, ku po teston motorin Yamaha për vitin e ardhshëm. Por gjërat sërish nuk kanë shkuar siç italiani i priste. Pas xhirove të para me motorin e ri, Rossi tha se nuk ndjente ndonjë diferencë të madhe me motorin aktual të Yamahas. Piloti veteran duket se nuk është impresionuar nga modeli i ri ‘M1’ dhe këmbëngul se ai dhe skuadra e tij, duhet të punojnë më shumë për të sjellë vërtet ndryshim. Rossi tha se Yamaha ka bërë disa hapa përpara, por gjithësesi mbetet shumë larg rivalëve në ‘MotoGP’ dhe testet për motorin e ri treguan se një situatë e ngjashme mund të vazhdojë edhe në sezonin e ardhshëm.

Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse Yamaha ia del të bëjë ndryshimet e duhura tek modeli i ri ‘M1’ dhe Rossi mendon se inxhinierët e markës japoneze kanë kohën e duhur për ta bërë diçka të tillë. Në Çeki, edhe Vinales, i cili vinte pas dy garave me rezultate mjaft të mira për të, nuk ia doli të ishte kompetitiv, madje e mbylli në vendin e 10. Tek Yamaha duket se janë të dorëzuar edhe për këtë sezon dhe fjalët e Rossit shihet si shtysa për të punuar për vitin e ardhshëm. Marc Marquez arriti triumfin e gjashtë për këtë sezon dhe të 50-in në ‘MotoGP’ dhe duket e vështirë që spanjolli të lëshojë titullin kampion edhe për 2019-ën.