Yahama prezantoi motorin dhe pilotët zyrtarë për sezonin 2020, që mbeten pak a shumë të njëjtët, teksa veç Rossit dhe Vinjales është shtuar Jorge Lorenzo si kolaudator. Mirëpo ambicjet sa vijnë e rriten për shtëpinë japoneze të motorëve.
Sytë e të gjithëve gjithsesi kanë qenë të përqendruar tek i ashtuquajturi “Doktori”, i cili ka konfirmuar ndarjen me Yamahan në fund të këtij viti, por ka zbuluar disa detaje të rëndësishme mbi të ardhmen.
“Nga njëra anë ishte e vështirë të merrja një vendim për të lënë skuadrën zyrtare në 2021-shin. Por nga ana tjerër nuk ishte edhe aq e vështirë, përderisa nuk dua të vazhdoj nëse nuk jam kompetitiv”, është shprehur numri 46.
Pikërisht nëse do të vazhdojë të garojë edhe në sezonin e ardhshëm do të vijojë ta bëjë tek Petronas, skuadra satelit e Yamahas.
“I kërkova mbështetje Yamahas dhe u përgjigjën pozitivisht, gjithmonë nëse do të vendos të vazhdoj edhe pas Botërorit 2020. Objektivi im i parë është që të vazhdoj edhe në 2021-shin. Kemi një ekip fantastik si Yamaha Petronas, që ka treguar një nivel vërtet i lartë dhe se është vërtet kompetitiv. Prandaj nëse do të vendos të kaloj tek Petronas, nuk do të ndryshonte shumë për mua. Më pëlqen fakti që pavarësisht moshës, Yamaha vijon të besojë tek unë”, tregoi italiani 40-vjecar.
Nga ana tjetër, drejtori menaxherial i Yahamas Lin Jarvis pranoi se ishte e vështirë të bisedonte me Rossin dhe të merrte vendimin se ai nuk do të kishte qenë më pilot zyrtar duke filluar nga viti tjetër. Por gjithsesi, sipas tij, Valencino do të ketë mbështetjen totale të Yahamas, nëse do të vazhdojë të garojë. Kurse zgjedhjen për të afruar Fabio Quartararon në skuadrën zyrtare të Yamahas nga 2021-shi e ka shpjeguar si obligim për të lëvizur me shpejtësi në drejtim të sigurimit të pilotëve të rinj me prespektivë, përderisa kishte disa skuadra të egërsuara në merkato.