Pas shumë kohësh, Yamaha arriti të bëjë një paraqitje të mirë në ‘MotoGP’, ku në garën e Tajlandës, dy pilotët e markës japoneze e mbyllën në vendet 3 dhe 4. Arritja në podium pas një kohe të gjatë do të thotë shumë për këtë skuadër, por dy pilotët e saj, Rossi e Vinales duket se vazhdojnë të jenë skeptikë dhe aspak të bindur rreth të ardhmes se motorit ‘M1’. Veterani italian është shprehur se problemet e Yamahas nuk janë aspak të zgjidhura dhe se podiumi i arritur nga Vinales në Tajlandë erdhi edhe prej mungesës së Jorge Lorenzos.
Rossi shton se tek skuadra japoneze kanë ende shumë punë për të bërë, pasi edhe në Buriram u pa qartë se as ai dhe as shoku i tij i skuadrës nuk kishin potencialin e duhur për të rivalizuar Marc Marquez dhe Andrea Dovizioson në krye të garës. Më pozitiv është në qëndrimin e tij Maverick Vinales, që shpreson që rezultatin e arritur në Tajlandë, skuadra ta shohë si një pikë kthese për të ardhmen. Piloti spanjoll thotë se paraqitja në garën e fundit bëri që Yamaha të kthehej disi në normalitet pas një kohe të gjatë të mbushur me zhgënjime. Aktualisht, Rossi e Vinales renditen në vendet 3 dhe 4 në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë me 172 dhe 146 pikë secili.