Pavarësisht pritshmërive në fillim të sezonit, edhe këtë vit Ferrari po dështon të rivalizojë me Mercedes. Marka italiane duket se ka filluar të humbasë edhe betejën me ‘Red Bull’, që ka bërë disa paraqitje vërtet të mira në 4 garat e fundit. Ferrari ende nuk ka shënuar asnjë fitore dhe sipas Ross Brawn, ky mund të kthehet në një problem të madh për skuadrën nga Maranello. Sipas drejtorit të ‘Formula 1’, mungesa e fitores po shton çdo garë e më shumë presionin mbi drejtuesit e skuadrës, por për më tepër tek pilotët. Brawn u ndal tek gara e fundit e zhvilluar në Hungari dhe u shpreh se pavarërisht se pista nuk është ndër më të mirat për karakteristikat e Ferrarit, diferencat në garë mes dy pilotëve të Ferrarit dhe dy kryesuesve të garës ishin shqetësuese.
Skuadrat do të kenë thuajse 1 muaj pushim deri në garën e ardhshme dhe Ross Brawn beson se Ferrari duhet ta shfrytëzojë këtë pushim të verës për të punuar mbi makinën dhe për t’i dhënë diçka më shumë për garat e mbetura, pas nëse vazhdohet në këto ritme, ky sezon mund të ishte turpërues për Ferrarin. Ai gjithashtu kërkoi më shumë edhe nga pilotët, Sebastian Vettel dhe Charles Leclerc, që sipas tij duhet të jetë më bashkëpunues. Për këtë ai ilustroi rastin e Max Verstappen, i cili pavarësisht se nuk ka makinën më të mirë, ia del mbanë të marrë rezultate mjaft të mira falë punës së mirë dhe referencave që ai i jep skuadrës së tij. Dy pilotët e Ferrarit, Vettel dhe Leclerc renditen momentalisht në vendet 4 dhe 5 në renditjen e përgjithshme për pilotë, me një diferencë prej më shumë se 90 pikësh me kampionin e botës në fuqi, Lewis Hamilton.