Odise Roshi arriti të shënojë golin e parë të sezonit me Akhmat Groznin në kampionatin rus. Për më tepër rezultoi vendimtar të hënën në fitoren 2-0 të skuadrës së tij, të cilën e ndihmoi që të fitonte një ndeshje të ndërlikuar në fushën e Anzhit. Anësori sulmues i Shqipërisë u bë autor i golit që vulosi suksesin e ekipit nga Çeçenia, duke kontribuar kështu sa i takon sigurimit të mbijetesës në elitën e futbollit rus. Ndryshe nga dy shqiptarët e tjerë Bekim Balaj dhe Bernard Berisha – që e filluan ndeshjen si titullarë -, mesfushori-sulmues i Kombëtares shqiptare hyri në lojë si zëvendësues. Ai zuri vendin e mesfushorit të përfaqësueses kosovare në fillimin e pjesës së dytë të sfidës.
E ja që kjo zgjedhje e trajnerit të Akhamtit ishte e goditur, pasi në minutën e 87 të takimit, Roshi dyfishoi shifrat e rezultatit në favor të çeçenëve, duke finalizuar një kundërsulm të shpejtë. Për Roshin, ky ishte goli i parë në kampionat me Groznin në këtë sezon, ku ka luajtur me më tepër rregullsi se vitin e kaluar, duke zbritur në fushë në plot 20 takime. Por, sigurisht bëhet fjalë për një realizim që fieraku do të mbajë mend gjatë përderisa, jo vetëm ishte i pari i këtij kampionati, por mbi të gjitha siguroi mbijetesën e Akhmat Groznit, kur mbetet edhe një javë për t’u luajtur deri në mbylljen e kampionatit rus të futbollit.