Odise Roshi duket se ka hyrë në fazën e fundit të riaftësimit dhe shumë shpejt pritet që të rikthet në fushë, për të dhënë kontributin e tij me skuadrën e Akhmat Groznit, por edhe me kombëtaren shqiptare. Fieraku i përfaqësues kuqezi mësohet se është kthyer për t’u stërvitur me top, madje edhe nën temperatura të ulëta që mbizotërojnë në këtë periudhe në Rusi. Mirëpo, risia sa i takon Roshit nuk ka lidhje vetëm me rikthimin që pritet të jetë i shpejtë. Por edhe me faktin që ka ndjekur seancat e fundit të riaftësimit pranë qendrës mjekësore të Juventusit, në ‘J Medical’, aty ku kanë shkuar shpesh futbollistë të Shqipërisë për riaftësim edhe në të kaluarën. Ka qenë vetë Roshi që në faqen e tij në Instagram ka publikuar një foto nga “J Medical Torino”, vendi në të cilin rikuperohen të gjithë lojtarët e Juventusit, duke falenderuar stafin mjeksorë që e ka ndihmuar në rikuperimin e tij. Kjo bëhet si shkak i një marrëveshjeje të arritur mes FSHF-së dhe qendrës mjekësore duke qenë se edhe Kombëtarja ka mjekë italianë. Një lajm i mirë dhe për trajnerin Panucci që pritet ta ketë shumë shpejt në skuadër mesfushorin për ndeshjet kualifikuese Euro 2020.
Ndërkohë, vijnë lajme të mira edhe nga Armando Sadiku, i cili është rikthyer në stërvitje dhe këtë gjë e ka konfirmuar fillimisht vetë klubi spanjoll falë një postimi në Instagram. Pikërisht, një foto në story-n e Instagramit është shpërndarë disa momente më vonë edhe nga vetë Sadiku, duke konfirmuar kështu rikthimin e sulmuesit kuqezi në fushat e blerta pas gati 6 muajsh. Sulmuesi i Levantes mungoi për disa kohë për arsye dëmtimi, ku iu desh t’i nënshtrohej dhe një operacioni. Por tashmë pas një procesi riaftësimi, do të kërkojë të bashkohet sa më shpejt në përgatitjet me skuadrën spanjolle. Megjithëse prej kohësh ka një interesim nga Lugano, që kërkon ta rikthejë sulmuesin në Zvicër.