Golshënuesi rekordmen i Anglisë dhe Manchester United, Wayne Rooney mbetet një nga tifozët më të mëdhenj të përfaqësueses së “Tri Luanëve”. Edhe tani që ka vendosur të tërhiqet nga karriera ndërkombëtare. I ngacmuar mbi ecurinë e anglezëve në Botërorin rus, sulmuesi që sapo ka kaluar tek DC United në Major League Soccer është shprehur optimist mbi rrugëtimin e ish-shokëve të tij. “Po bëjnë vërtet një paraqitje fantastike. Çka të bën të shpresosh se mund të fitojnë. Mbi të gjitha është madhështore atmosfera që krijojnë tifozët në Angli. Janë miliarda që shohin ndeshjet e përfaqësueses. Nuk mbetet veç të shpresojmë që tani të shkojmë në finale”, ka thënë fillimisht 32-vjeçari.
Skuadra e Southgate do të përballet me Kroacinë të mërkurën në gjysmëfinale, me besimin e madhe se do jetë edhe në aktin final që luhet të dielën kundër fitueses së Francë-Belgjikë. “Për lojtarët dhe veçanërisht për Gareth, uroj sa më shumë fat. Ata po na bëjnë krenar të gjithëve. Na duhet edhe një hap tjetër për të shkuar në finale e, pse jo, ta rikthejmë Kupën në shtëpi… Unë jam nga ata që besojnë!”, deklaroi 32-vjeçari. Që prej nëntorit të 2016-s, Rooney vendosi të tërhiqet nga përfaqësuesja angleze, për të cilën luajti 119 ndeshje me një rekord prej 53 golash. Southgate ngulmoi që ta rikthente për ndeshjet kualifikuese të këtij Botërori. Por Rooney arsyetoi se do të ishte më mirë të mos bënte “prapakthehu”, pasi kishte ardhur koha për t’u lënë vendin lojtarëve të rinj.