Ronaldo vs Aguero, sfida e goladorëve sonte në “Berneabeu”

Sport

feefeff.jpg

Sfidat e mëdha si ajo Real Madrid-Man.City që vjen sonte në TRING SPORT 1 HD, shpesh vendosen nga më të mirët. Dhe Reali e City kanë në radhët e tyre dy prej sulmuesve më të fortë, kur vjen puna për gola. Madrilenët mbështeten te Cristiano Ronaldo, i rikuperuar nga problemet fizike që e detyruan të mungojë në 3 ndeshjet e fundit. Tani është gati dhe në formë për të zgjidhur telashet e Zidane. Në fund të fundit, pak lojtarë kanë ndikimin që ai ka në lojën dhe rezultatet e Realit. Veçanërisht kur bëhet fjalë për Champions League. Me 47 gola të shënuar në çdo kompeticion ku ka marrë pjesë Reali në këtë sezon, portugezi vazhdon të ketë në shënjestër disa rekorde. Veçanërisht, kuotën e realizimeve në një edicion të Champions League, ku aktualisht ka shënuar 16 herë dhe është një hap larg përmirësimit të rekordit personal. Pa harruar as rekordet e tjera që do të arrinte me prekjen e finales.
Kurse Manchester City i ka varur shpresat te Sergio Aguero, autor i 28 golave në të gjithë kompeticionet gjatë këtij sezoni dhe që konsiderohet si një nga sulmuesit më “vrastar”. Edhe Carlo Anceloti, ish-trajneri i Chelseat dhe Realit, ka paralajmëruar që “El Kun” është njeriu të cilit duhet t’i ruhen madrilenët. Sonte, argjentinasi ka misionin e vështirë të terrorizojë Sergio Ramos me shokë, që nuk kanë pësuar asnjë gol në shtëpi gjatë këtij edicioni të Champions. “Bernabeu” është edhe një lloj tabuje për Agueron, pasi ia ka dalë të shënojë vetë një herë, kur luante me Atletikon, në derbin e tij debutues të sezonit 2007-2008. Për herë të parë në jetën e vet, Aguero është kaq afër trofeut më të dëshiruar, atë të Champions League. Edhe pse statisitikat thonë se prej 4 takimesh nuk bën një gjuajtje në portë, Pelegrini beson se sot mund të jetë ndeshja e tij. Pasi “El Kun” e tregon veten, pikërisht në sfidat e rëndësishme.