Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi nuk janë miqtë më të mirë që ka bota e futbollit, por duke parë rivalitetin që kanë mes tyre, të dy lojtarët gëzojnë respekt për njëri-tjetrin. Konkurenca mes dy prej lojtarëve më të mirë të historisë ka bërë që futbolli të ndahet në dy pjesë gjatë kësaj dekade. Në një intervistë të dhënë së fundmi, Ronaldo është shprehur se ajo që ka rëndësi në përballjet mes tij dhe Messit, është shembulli i mirë që duhet të marrin brezat e ardhshëm. Të dy lojtarët kanë punuar shumë për të arritur këtu ku janë dhe Ronaldo e di këtë gjë më mirë se kushdo. Megjithatë, fjalët që tërhoqën më shumë vëmendje në këto deklarata të tij, ishin ato që flisnin se sa ka ndikuar tek portugezi rivaliteti me Messin.
“Sigurisht që konkurenca që kemi patur me njëri-tjetrin na ka ndihmuar për t’u bërë edhe më të mirë. Në Madrid e ndjeja më shumë prezencën e tij se sa në Manchester. Ishim simbolet e klubeve tona. Rivaliteti ynë shtynte të punonim shumë fort dhe kjo është arsyeja e nivelit që kemi treguar.”
Ronaldo thotë se pavarësisht talentit që ka si ai, apo edhe Messi, nëse nuk do të ishte për kulturën e punës së fortë që bëhet në stërvitje, atëherë dominimi i tyre nuk do të kishte ekzistuar në të tilla përmasa. Tek Juventus, objektivi kryesor i luzitanit mbetet triumfi në ‘Champions League’, por Ronaldo qëndron ‘me këmbë në tokë’, duke thënë se asgjë nuk është e sigurt në rrugëtimin e bardhezinjve, prandaj gjërat duhen marrë hap pas hapi.