Cristiano Ronaldo duket se është vërtet në telashe. Akuzat për dhunë seksuale ndaj Cristiano Ronaldo-s, për një ngjarje të vitit 2009, mund t’i hapin futbollisti portugez jo pak probleme në aspektin financiar . Ish-modelja Kathryn Mayorga pretendon se është përdhunuar nga futbollisti i Juventusit 9 vite më parë në Las Vegas dhe tashmë zhurma e madhe e krijuar ka vënë në lëvizje kompanitë e shumta që i japin miliona euro çdo vit Ronaldos, për ta pasur 33-vjeçarin si imazh. Mediat raportojnë se sponsorët e Ronaldo-s po ndjekin me shumë shqetësim këtë histori dhe drejtuesit e Nike ka deklaruar për agjencinë ‘Associated Press’ se janë jashtëzakonisht të shqetësuar për akuzat e rënda ndaj Ronaldos dhe se do të vijojë monitorimi nga afër i situatës. Firma e veshjeve sportive, ka një kontratë “të përjetshme” me portugezin, me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, por natyrisht gjithçka ndryshon nëse Ronaldo shpallet fajtor.
Por veç Nike, edhe kompania e videolojrave ‘EA Sports’ po mendon të braktisë kontratën me lojtarin, duke u shprehur në një deklaratë se po monitorojnë me kujdes situatën, pasi në lojë janë edhe vlerat e kësaj kompanisë. Edhe ‘Save the Children’ janë të shqetësuar për këtë situatë, duke shtuar se këto lajme i kanë demoralizuar. Ndërkaq, Juventusi ka dalë hapur në mbrojtje të Ronaldos, por reagimi zyrtar i klubit bardhezi ka bërë që shumë njerëz të reagojnë ashpër. Kjo sepse komunikata kishte një qëndrim mjaft të çuditshëm të klubit, ku vihej theksi te profesionializmi i portugezit, që në fakt ka vetëm 2 muaj në Torino: “Në këto muaj Cristiano ka treguar profesionalizëm dhe seriozitet. Ato që kanë ndodhur para 10 vitesh nuk e ndryshojnë këtë opinion, që e ka krijuar çdo person që ka pasur kontakt me këtë kampion të madh”.