Cristiano Ronaldo kërkon të “fshijë” gjithçka që e lidh me Spanjën. Sipas gazetës portugeze “El Correio do Manha”, lojtari i sapotransferuar tek Juventusi po planifikon t’u japë fund të gjitha problemeve të tij me autoritetet tatimore në Spanjë, pasi ndjen se është persekutuar nga to. Prandaj, portugezi 33-vjeçar duket se do të zbatojë të njëjtin plan, që e realizoi më 2009-n, kur braktisi Manchester Unitedin. Ai ka 22 makina në Spanjë, të cilat do t’i shpërndajë në shtëpitë e tij të ndryshme në Portugali, nëpër qytetet e Funchal, Algrave, Lisbonës dhe Sierra de Geres, ndërsa të tjerat në shtëpinë e tij të re në Itali. Vila e re e Ronaldos, me sipërfaqe 1.000 metra katror, me 8 dhoma gjumi në tre kate, një pishinë të brendshme me dy hyrje sekrete, është zbuluar se ndodhet në Strada San Vito Revigliasco, në dalje të Torinos. Ndërkohë, nëse Ronaldo vërtet dëshiron t’i shkëpusë marrëdhëniet me Spanjën, atëherë do t’i duhet ta ndalë ndërtimin e një hoteli që e ka planifikuar në Madrid. Por zhvendosja totale nga Spanja që Ronaldo po kërkon është më e ndërlikuar sesa duket.
Mbi të gjitha, sepse partnerja e tij, Georgina Rodriguez, është spanjolle. Pa harruar që edhe fëmijët e tij kanë lindur në Spanjë. Cristiano Junior po ashtu ka shprehur pakënaqësi me zhvendosjen në Itali, sepse i është dashur ta braktisë shkollën, miqtë dhe ekipin e futbollit në Madrid, aty ku është një nga më të dalluarit. Gjithsesi në pritje për të zbatuar planin e transferimit total të mbretërisë së tij nga Spanja në Itali, CR7 po vazhdon pushimet në Greqi, bashkë me familjen. Portugezi ndodhet në rajonin e Peloponezit në resortin “Kosta Navarino”, teksa në një nga darkat duket se ka mbetur mjaft i kënaqur nga shërbimi që i është ofruar. Aq sa ka lënë një bakshish të ‘cmendur’ për stafin e resortit grek. Sipas ‘The Sun’ lojtari i ri i Juventusit ka lënë në fund një “çek” me vlerën e 20 mijë euro dhe ka kërkuar që shuma t’u ndahet të gjithë punonjësve në mënyrë të barabartë. Një veprim klasi i Cristiano Ronaldos, edhe jashtë fushës…