Në mendjen e Ronaldos është vetëm Juventusi. 33-vjecari i ka thënë “Jo!” Portugalisë duke dhënë sinjale të qarta se kërkon të japë maksimumin për t’u përshtatur në 100% me ambientin dhe futbollin italian. Lajmi në fjalë ishte prezent në faqet e para të të gjitha gazetave sportive teksa Ronaldo thuhet se nuk do të luajë në miqësoren kundër Kroacisë, por as dhe në përballjen e parë të vlefshme për “Nations League” kundër Italisë në Lisbonë. Ka shumë arsye të cilat thuhen se e kanë bërë që Cristiano të marrë këtë vendim. Si fillim mosha thuhet se po jep ndikimet e para.
Ai është 33-vjecar dhe i duhet të marrë përsipër disa zgjedhje në mënyrë që të mos e trazojë sezonin që ka përpara. Nga ana tjetër sipas La Gazzetta dello Sport, portugezi thuhet se kërkon të punojë fort për t’iu rikthyer formës së duhur në plan për Champions League-ën, trofe të cilin tifozët e Juventusit kanë 22 vite që e ëndërrojnë. I vlerësuar për golin e vitit, pikërisht me atë realizim ndaj bardheinjëve vitin që shkoi, Ronaldo ende nuk ka shënuar për Juventusin dhe për të shmangur një presion në rritje, vendimi për të qëndruar në Torino duket i justifikuar, të paktën për tifozët e Juventusit, por jo dhe aq për portugezët, të cilët si kampionë Evrope kanë synime të larta për këtë edicion fillestar të Nations League.