Portugalia u eliminua nga Uruguai dhe si kampione e Evropës do të mendojë tashmë për edicionin e radhës që ka në rankun kontinental. Cristiano Ronaldo, një nga yjet e padiskutueshme të kësaj përfaqësuese beson fort se portugezët do të vazhdojnë të jenë mes më të mirëve të botës. 33-vjecari nuk e ka konfirmuar ende planin që ka nëse do të vazhdojë apo jo të luajë për kombëtaren, por në daljet e tij për media ka qëndruar fort në mendimin se “si me të, edhe pa të në fushë, Portugalia mbetet konstante për sa i përket niveleve të larta”. Ronaldo shënoi 4 gola këtë botëror, duke përfshirë një tripletë kundër Spanjës dhe deri diku ishte i kënaqur nga performanca individuale.
Gjithsesi qëndrimet e gazetarëve se me gjasa Rusi 2018-të ishte hera e fundit që e shohim Cristianon në një botëror, mbeten ende të pakonfirmuara. “Jam i gëzuar, largohem që këtej i kënaqur sepse bëmë gjëra të mira. Largohemi me kokën lart dhe Portugalia do të vazhdojë të ketë suksese” – tha Ronaldo në një nga daljet e tij për media pas eliminimit me Uruguain. Kampionët e Evropës aktualisht kanë si problem rifreskimin e skuadrës. Përveç Ronaldos, 33-vjecar, një tjetër dilemë e madhe mbetet se kush do t’i zëvendësojë mbrojtësit Pepe dhe Jose Fonte 35 dhe 34 vjecar.