Ronaldo i bashkohet grupit, Chiellini thotë se në fillim s’i besohej se ai mund të vishej bardhezi

Sport

chiellini
Dita e mërkurë ishte dita e kontrolleve mjekësore në klinikën J-Medical të Juventusit në Torino për ata të cilët ishin të angazhuar në botëror dhe një nga lojtarët që u shfaq prezent ishte medoemos edhe Cristiano Ronaldo, pikërisht lojtari më i ri i skuadrës. 33-vjeçari zyrtarizoi transferimin e tij te bardhezinjtë pas një operacioni prej 112 milionë eurosh dhe i dha fund një vale spekulimesh që përflisnin të ardhmen. Por edhe pse kjo lëvizje tashmë është fakt, shumëkush ende nuk është mësuar nga prezenca e Ronaldos, pasi sikurse e thotë edhe Giorgio Chiellini, kur lajmet zunë të flisnin rreth angazhimit të portugezit, të gjithë dyshonin nëse ky transferim do të mund të kryhej.

ronaldo juventus

“Kur dëgjova për këtë gjë në lajme, u thash miqve të mi se s’ka shanse” – tha Chielini për ESPN “Më pas ditët që pasuan mendimi më ndryshoi dhe kjo sigurisht për shkak të drejtuesve tanë” – shtoi më tej mbrojtësi i talian. Sipas Chiellinit Juventusi po rritet vit pas viti dhe me një kampion si Ronaldo bardhezinjtë mund të arrijnë synimet e kërkuara. Juventusi vjen pas 7 vitesh radhazi kampion në Itali. Ndryshimet në merkato kanë qenë edhe më tej. Përveç Ronaldos janë angazhuar Joao Cancelo, Mattia Perin dhe Emre Can, ndërsa po bëhet gjithmonë e më konkrete ideja e rikthimit në skuadër të Leonardo Bonuccit, një njohje e vjetër kjo për Chiellinin, pasi me të ka ndarë repartin e mbrojtjes për 7 sezone.