Me Pesë golat ndaj Espanyol-it Cristiano Ronaldo ka hyrë në histrinë e Realit të Madridit si golashënuesi më i mirë në La Liga me fanellën e “Los Blancos”. Portugezi kishte disa ndeshje radhazi që nuk shënonte, me shtypin spanjoll, që e kishte kritikuar vazhdimisht për performancën e dobët nën drejtimin e teknikut Rafa Benitez. Por pesë golat e shënuar të shtunën mbrëma i kanë vënë kapakun çdo lloj kritike.
Sulmuesi 30-vjeçar realizoi 5-golëshin e dytë në karrierë, ku si fillim një arritje të tillë e shënoi sezonin e kaluar në fitoren 9-1 që Reali i vulosi Granadas. Por 5-golëshi i këtij viti ndaj Espanyol-it ishte më i shijshëm për Ronaldon, pasi me këto gola ai arriti të thyejë rekordin e Raul Gonzalez. Portugezi tanimë numëron plot 230 gola në La Liga kundrejt 228 golave që ka shënuar ish-kapiteni Raul.
Nga ana tjetër Ronaldo ka barazuar edhe rekordin e legjendarit Telmo Zarra, i cili në karrierën e tij pati shënuar dy pesëgolësha. Por për rekordin me më shumë gola në La Liga, Ronaldo duhet të thyejë Lionel Messin, që deri më tani ka shënuar plot 286 herë. Gjithësesi statistikat e Ronaldos janë mbresëlënëse. Në të gjitha kompeticionet, me 302 ndeshje në total me Realin, ai ka shënuar plot 323 herë, duke shërbyer edhe 105 asiste.