Cristiano Ronaldo beson se Messi, Neymar, Higuain dhe Lewandowski do të jenë rivalët e tij në garën për cmimin e Topit të Artë. Portugezi synon vlerësimin për herë të pestë me këtë cmim që zyrtarisht jepet në muajin dhjetor. Ronaldo kreu një sezon të jashtëzakonshëm duke e mbyllur me 55 ndeshje dhe 55 gola me fanellat e Realit dhe kombëtares. Një sezon që e nisi si kampjon Evrope me Portugalinë dhe Realin, e mbylli po me kurorën e Evropës me Los Blancos. 31-vjecari theu disa rekorde sikurse qe kapërcimi i 100 golave në UEFA Champions League dhe në sajë të performancave të tij është kandidati kryesor për cmimin e Topit të Artë. Aktualisht ai ndodhet në Azi, ku po kryen një tur personal, krejt ndryshe nga skuadra e Realit që ndodhet në anën tjetër të globit në turneun amerikan. Duke folur për ESPN, Ronaldo tha se nuk ndihej aspak i favorizuar nga fakti se e mbylli sezonin me tituj si Champions League-a, apo dhe kampjonati spanjoll. “Sigurisht që pres konkurrencë, besoj se do jem përkrah Messit, Neymarit, Lewandowskit apo dhe Higuainit” – tha Ronaldo duke zbuluar kështu edhe pritshmëritë e tij për sa i përket rivalëve që do të ketë në këtë cmim. Vitin që shkoi, Ronaldo e fitoi Topin e Artë me një rekord për sa i përket diferencës së pikëve, plot 429 pikë distancë me rivalin më të afërt që ishte po Messi. Analistët sportivë presin që sërish Ronaldo të jetë ai që e fiton këtë vlerësim, cka do ta barazonte portugezin me argjentinasin, që numëron plot 5 herë suksese në këtë drejtim.