Ai është absolutisht një nga lojtarët më të mëdhenj që mund të ketë parë ndonjëherë bota e futbollit. Një legjendë e Brazilit dhe e çdo klubi ku ai ka luajtur, pasi është siguruar të lërë gjurmën e tij në çdo fushë që ka shkelur. Luis Nazario de Lima, ose i njohur thjesht si Ronaldo ka qenë një nga lojtarët që shkroi historinë e futbollit, por së fundmi, vetë braziliani ka zbuluar një prapaskenë që mund të kishte ndryshuar shumë gjëra. Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me fanellën e Barcelonës, lojtari kishte gjetur një marrëveshje në 1997-ën për të qëndruar në Katalonjë dhe më pas kishte udhëtuar drejt Brazilit, për shkak të angazhimeve me ‘seleçao’-n. Por vetëtm 5 ditë pasi ishte larguar nga Europa, ai kishte marrë një telefonatë nga drejtuesit e Barcelonës, që i komunikonin se tratativat për rinovimin nuk mund të finalizoheshin dhe se klubi kishte pranuar një ofertë për të.
“Nuk ishte asnjëherë në duart e mia. Unë dëshiroja të qëndroja tek Barcelona, por nëse klubi nuk më vlerësonte ashtu si unë mendoja, atëherë nuk ishte më një zgjedhje e imja. Doja të shkruaja historinë me atë skuadër, por ata vendosën të më largonin dhe unë vijova në rrugën time.”
Kështu Ronaldo pranoi se kërkonte të luante për një kohë të gjatë për Barcelonën, por katalansit vendosën ta shisnin tek Inter, për një shumë rekord në atë kohë prej 28 milionë eurosh. Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart deklaronte në 2018-ën për ‘Goal’ se as ai nuk kishte dëshirë ta largonte Ronaldon nga skuadra, por ishte i detyruar për të pranuar një ofertë të jashtëzakonshme në atë kohë, pasi kishte edhe presionin e bordit drejtues. Gaspart shtonte se largimi i Ronaldos ishte diçka e papritur në klub, por që ndodhi shumë shpejt pikërisht për shkak të peshës ekonomike që mbante një transferim i tillë.