Lajme të këqija për Juventus. Klubi bardhezi ka qenë më orë të tëra në ankth për shkak të një dëmtimi që Cristiano Ronaldo pësoi në sfidën që kombëtarja e tij barazoi 1-1 me Serbinë. Portugezi u pa të shtrihej në fushë në minutën e 28 të takimit, pas një tërheqjeje muskulare. 34-vjeçari nuk ka dashur të rrezikojë më shumë, por ka kërkuar menjëherë zëvendësimin, për të mos e përkeqësuar gjendjen e muskujve të tij. Megjithatë, pas ndeshjes vetë Ronaldo ka kërkuar të qetësojë tifozët dhe drejtuesit e Juventus, duke thënë se dëmtimi nuk është diçka serioze dhe se ai do të kthehet shpejt në formë, madje brenda 1 apo 2 javësh.
Por tek Juventus menjëherë ka planifikuar planin për të patur yllin e skuadrës në gjendjen më të mirë fizike përpara ndeshjes me Ajax-in në Champions League, e programuar të luhet më 10 prill. Allegri thuhet se do ta lërë pushim Ronaldon në 3 takimet e radhës, duke qenë se edhe pozitat e skuadrës në renditje ia mundësojnë diçka të tillë. Ronaldo përsëriti se është i qetë dhe se e njeh mjaft mirë trupin e tij, prandaj siguroi që do të jetë shumë shpejt në fushë. Sapo të rikthehet në Torino, Cristiano do t’i nënshtrohet kontrolleve të tjera nga ana e mjekëve të Juventus, ku do të mbahet vazhdimisht nën vëzhgim, në mënyrë që 34-vjeçari të riaftësohet si duhet përpara datës 10 prill.