Ronaldinho flet për Messin dhe ndikimin e tij tek shkëlqimi i argjentinasit

Sport

I njohur si ‘Zoti i futbollit’, Ronaldinho është nga ata që nuk ka nevojë për prezantim. Braziliani është absolutisht një nga personazhet më të dashur për tifozët e futbollit anembanë botës, pasi ka fituar çdo gjë në karrierën e tij dhe ka një karakter që i bën për vete të gjithë. Por Ronaldinho për shumë njerëz mund të ketë mbetur në histori edhe për faktin se konsiderohet si ‘mentori’ i Messit dhe njeriu që shtyu argjentinasin drejt shkëlqimit absolut në këtë sport. Megjithatë, vetë Ronaldinho nuk mendon kështu. Në intervistën e tij të fundit, braziliani u shpreh se tek Barcelona, për Messin kishin filluar të flisnin që përpara mbërritjes së tij. Sipas tij, ishin disa nga lojtarët veteranë të ekipit që shtynë Rijkaard ta merrte Messin të stërvitej me skuadrën e parë të Barcelonës, aty ku lojtarë si Ronaldinho u përpoqën të krijonin një mjedis sa më të përshtatshëm për adoleshentin që ishte bërë tema kryesore e bisedave tek klubi katalanas. Ronaldinho shtoi se Messi e tregoi që në çastet e para talentit që kishte dhe ndryshe nga ajo që mendojnë shumë njerëz, braziliani thotë se nuk ishte ai që ndikoi tek ecuria e argjentinasit.
“Leo ishte i mrekullueshëm. Kishte gjithçka në futbollin e tij, prandaj nuk mendoj se kishte nevojë për mua. Ai e tregoi që në fillim se çfarë ishte i aftë të bënte.”
Ikonik është fakti që golin e parë të Messit si profesionist tek Barcelona, e ka asistuar pikërisht Ronaldinho, në atë pasim që konsiderohet si kalimi i ‘stafetës’ te katalanasit nga braziliani tek talenti argjentinas. Për atë asist, Ronaldinho thotë se ishte thjesht me fat që pasoi për golin e parë të Messit, për të cilin ai gëzon respekt të veçantë.