Ronald Koeman zbulon se refuzoi ofertën e Barcelonës

Sport

Shkarkimi i Valverdes nga Barcelona ishte diçka e pritur nga të gjithë, pasi veç rezultateve, skuadra katalanase nuk po funksiononte si duhet. Megjithatë, ajo që i surprizoi të gjithë ishte zgjedhja e Quique Setien në krye të ‘blaugrana’-ve, pasi përpara emërimit të tij në media qarkullonin emra më prestigjozë. Një nga këta ishte edhe holandezi Ronald Koeman, i cili është në krye të kombëtares së ‘tulipanëve’ që prej vitit 2018. Siç ka zbuluar vetë 56-vjeçari, drejtuesit e Barcelonës e patën kontaktuar menjëherë pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, për t’i bërë një ofertë zyrtare. Por Koeman thotë se për të nuk ka qenë momenti i duhur për të marrë drejtimin e katalanasve, pasi kërkon t’i shkojë deri në fund detyrës që ka marrë tek kombëtarja holandeze.

Emri i Ronald Koeman është lidhur me Barcelonën që në fillimin e këtij sezoni, pasi 56-vjeçari ka bërë një punë shumë të mirë në ringritjen e Holandës, pas disa viteve të vështira. Për më tepër, lidhja që ai ka me klubin e bën një profil akoma më të dashur për tifozët dhe drejtuesit, e megjithatë, për ta parë në krye të skuadrës si trajner, në Katalonjë do të duhet të presin ende. Koeman foli edhe për Frenkie de Jong, i cili është kritikuar ditët e fundit për përformancat e tij gjatë muajit shkurtit. Tekniku holandez u shpreh se fakti që de Jong po luan rregullisht si titullar tek Barcelona do të thotë shumë. Sipas tij, tek ‘blaugrana’-t ai po luan në një pozicion të ndryshëm nga më parë e megjithatë ka arritur të shndërrohet në një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj skuadre.