Tashmë është zyrtare. Ronald Koeman rikthehet në pankinën e kombëtares së Hollandës. Kjo është një eksperiencë, që 59 vjeçari e ka provuar edhe më herët, nga shkurti i 2018-tës, e deri në gusht të 2020-tës, përpara se të merrte drejtimin e Barcelonës.
Këtë herë, Koeman u vendos në krye të pankinës së tulipanëve, duke zënë vendin e lënë bosh nga Louis Van Gaal, i cili u largua pas përfundimit të Kupës së Botës.
Me portokallinjtë, këtë herë, Koeman ka firmosur një kontratë deri në 31 korrik të 2026-tës. Në fjalët e tij të para, tekniku është shprehur se ai do luajë me një formulë standarte me 4 mbrojtës, pasi është një fanatic i skemës 4-3-3.
Ndeshja e parë zyrtare e Koeman si trajner i Hollandës do jetë në 24 Mars, teksa në Paris do sfidojë Francën, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Më pas, në Qershor, Koeman, do ketë një mundësi mjaft të mirë të fitojë edhe një trofe me Hollandë, teksa do luajë në Nations League, kompeticion në të cilin, tulipanët janë kualifikuar në gjysmëfinale, së bashku me Kroacinë, Italinë dhe Spanjën.