Sergio Romero i hap rrugë largimit të David De Geas. Gjigandi argjentinas u prezantua sot pasi nënshkroi një kontratë tre-vjecare me Manchester United, por kjo lëvizje duket se do të sjellë largimin e De Geas drejt Realit të Madridit, klub i cili e kërkon prej kohësh.
Edhe pse është marrë si portier i dytë, vetë Louis van Gaal, e prezantoi Romeron si portier potencialisht të parë. Tekniku holandez e ka trajnuar Romeron në kohën kur drejtonte AZ-Alkmarin, ndaj ai u shpreh se e njihte mirë.
“Mendoj se bëmë mirë që morëm Romeron”, tha Van Gaal gjatë një konference për shtyp. “E njoh shumë mirë si portier. Në Holandë, kur ishte vetëm 19 vjeç e zgjodha si portier të parë. Ishte një talent më vete. Me një klub të vogël, me të fituam kampionatin, dhe në Holandë pa dyshim, ky është një rezultat i jashtëzakonshëm. Ndaj them se është shumë mirë që Romero është tashmë lojtar i Manchester United, nëse De Gea do të largohet apo do të qëndrojë, mbetet gjithmonë një kërcënim për të cilin ne duhet të kujdesemi, të sigurohemi në mënyrë që të jemi të përgatitur për cdo gjë”, tha Van Gaal duke i lënë rrugë të lirë çfarëdo lloj skenari në lidhje me David De Gean.