Romelu Lukaku zyrtarizohet si lojtar i Napolit

Sport

Romelu Lukaku është zyrtarisht lojtar i Napolit. Emërimi i Antonio Contes në krye të skuadrës jugore të Italisë, në njëfarë mënyrë projektoi edhe të ardhmen e sulmuesit belg, i cili, pas një sage të gjatë, më në fund, zbarkoi në stadiumin Diego Armando Maradona. Me Napolin, Lukaku ka firmosur një kontratë 3 vjeçare, duke u ndarë kësisoj nga Chelsea në mënyrë përfundimtare. Për të siguruar në mënyrë përfundimtare shërbimet e shtatlartit të ofensivës, Napoli pagoi plotë 35 milionë euro në arkat e Bluve të Londrës. Serie A, është një terren mëse i njohur për Lukakun, për shkak të së shkuarës me Interin, apo edhe Romën. Mbërritja e Lukakut në Napoli, ka lumturuar pafundësisht edhe trajnerin e skuadrës, Antonio Conte, i cili nuk i ka kursyer edhe lëvdatat në drejtim të 31 vjeçarit. “Lukaku është lojtar i shpejtë dhe i fortë fizikisht. Ai di të përshtatet mirë me shokët e skuadrës, e madje të bëjë rolin e një numri 10-të. Ai di se si të sulmojë dhe të krijojë hapësira dhe kjo gjë e bën atë të jashtëzakonshëm. Lukaku është gjithashtu edhe një person i mirë. Për të e vendos dorën në zjarr pa asnjë pikë dyshimi. Ai e di se po vjen këtu me përgjegjësi ndaj meje, apo edhe ndaj qytetit të Napolit. Nga sot, jam më i qetë dhe më i lumtur për sulmin tonë”, është shprehur Antonio Conte.