Romelu Lukaku: Në pak vite, kampionati arab do të jetë më i forti në botë

Sport

Romelu Lukaku po përgatitet për të luajtur në Arabinë Saudite. Në një deklaratë të fundit mediatike, sulmuesi i qendrës është shprehur se brenda pak vitesh, liga saudite e futbollit, do të jetë më e forta në botë.

“Përgjatë viteve të ardhshme, kampionati i futbollit në Arabinë Saudite do të kthehet në një nga ligat më të forta në botë, për të mos thënë liga më e fortë. Zhvillimi është i madh, me klubet që po përpiqen të transferojnë lojtarë me peshë nga Europa”, ka thënë belgu, i cili për momentin është i lidhur në kontratë me Romën, kontratë që është e vlefshme deri në verën e këtij viti, sepse në të vërtetë, pronësinë e kartonit të 30 vjeçarit e zotëron Chelsea, me marrëveshjen që përfundon në verën e 2026-tës.

Thënë këtë, mundësia që Roma të blejë në mënyrë përfundoimtare kartonin e Lukakut, duket mjaft e vogël, sidomos kur nga klubi italian është larguar trajneri Jose Mourinho, i cili luajti një rol të madh që Lukaku të transferohej në Olimpico.

Mirëpo e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Chelsean. Ish-sulmuesi i Interit shihet pa të ardhme në Stamford Bridge, atje ku nuk mundi të shkëlqente dot në rikthimin e tij të dytë.

Me fjalë të tjera, fjalët e Lukakut për kampionatin arab nuk mund të cilësohen pa qëllim. Në verën që lamë pas, futbollisti në fjalë pati oferta konkrete nga Lindja e Mesme, por i refuzoi ato për një moment të dytë, sepse synimi ishte që të luante ende në Europë. Megjithatë, mesa duket, dita që Lukaku të largohet nga kontinenti i vjetër për të luajtur diku tjetër, nuk duket e largët. Kështu që është mëse e besueshme, që në verën e këtij viti, Romelu Lukaku t’i thotë “po” një tjetër propozimi saudit.