Romelu Lukaku i ka dhënë një mesazh trajnerit Antonio Conte. Pasi u largua nga Roma, e ardhmja e sulmuesit belg mbetet e paqartë, ndonëse të shumtë janë zërat që e lidhin atë me një transferim të mundshëm në radhët e Napolit, duke qenë se atje u zyrtarizua si trajner Antonio Conte.
Në këtë situatë, është pyetur vetë lojtari. Nga grumbullimi me përfaqësuesen belge të futbollit, 31 vjeçari është shprehur se ai e di të ardhmen e tij, dhe e ka situatën nën kontroll. Ndërsa Conten e ka cilësuar si trajnerin më të mirë me të cilin ka punuar ndonjëherë.
“Unë e di të ardhmen time. Jam në kontroll të situatës. Do të bëj një zgjedhje dhe pastaj do të jap shpjegim për atë gjë. Conte? Ai është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë”, ka thënë Lukaku, i cili i referohet kohës së kaluar në klubin e Interit, ku arritën të fitonin edhe një titull kampion. Këto fjalë shtatlartit të ofensivës, mund të merren edhe si një mesazh drejtuar Contes, për të punuar sërish bashkë në skuadrën e Napolit.
Teksa një gjë e tillë do të marrë trajtë në të ardhmen e afërt, deri në vitin 2026, Lukaku është i lidhur në kontratë me klubin e Chelsea, ndërsa vlera e tij në merkato konsiderohet 30 milionë euro.