Tetë vida dhe një pllakë metali, Francesco Totti ka ende në këmbë shenjat e atij lëndimi të 12 viteve më parë kështu ka rrëfyer për gazetën Tempo mjeku Pier Paolo Mariani. Kirurgu ortoped i cili e operoi në vitin 2006-të, ka treguar se ish-kapiteni i Romës i druhej më të keqes dhe për këtë nuk i hoqi kurrë vidat edhe pse parashikohej që t’i kishte larguar nga këmba që 7 muaj pas operacionit. Totti vuajti një ndërhyrje të ashpër nga Vanigli gjatë një ndeshjeje me Empolin, asokohe ai ishte 29-vjec dhe kjo gjë ndodhte pak muaj përpara botërorit Gjermani 2006-të. U pandeh më e keqja, por cdo gjë shkoi mirë. Pas operacionit Mariani thotë se i kishte kërkuar kapitenit të rikthehej pas 7 muajsh në mënyrë që të hiqte pjesët metalike. Totti nuk e bëri kurrë, kjo pasi i frikësohej më të keqes. Me pjesët metalike në këmbë doktori tregon se 41-vjecari nuk mund t’i nënshtrohej rezonancës magnetike dhe përballë traumave edhe më të vogla do të kishte vështërsi ekzaminimi dhe dhimbje të mëdha. Fatmirësisht kjo gjë nuk iu shfaq kurrë gjatë karrierës që u mbyll vetëm sezonin e kaluar, 12 vite pas atij lëndimi dhe me një Kupë Bote si kujtim nga vullneti dhe durimi i hekurt. “Rreziku për të mbetet i njëjti, por sidoqoftë tanimë bën drejtorin dhe s’është më në fushë” – ka thënë ndër të tjera Mariani.