Alesio Romagnoli duket i destinuar për t’iu bashkuar skuadrës së Lazio-s. Qendërmbrojtësit të Milanit i skadon kontrata që e mban të lidhur me kuqezinjtë në fundin e këtij sezoni dhe 27-vjeçari për momentin i ka refuzuar propozimet e drejtuesve për rinovimin.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Romagnoli-t i është paraqitur një rinovim i kontratës me Milanin, që sheh një ulje të ndjeshme të pagës së tij, nga 6 milionë euro në sezon, në 2,5 milionë euro, pa llogaritur këtu bonuset. Gjatë javëve të fundit, Romagnoli i ka shtuar kontaktet e tij me Lazio-n, që në fakt është edhe skuadra e zemrës për 27-vjeçarin.
Drejtuesit e skuadrës kryeqytetase thuhet se janë të gatshëm t’i japin Romagnoli-t një kontratë 5-vjeçare, me një pagë prej 3,5 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur bonuset. Nëse do të vazhdohet në këtë rrugë, lamtumira e Alessio Romagnoli-t tek Milani duket të jetë çështje kohe. Edhe pse për qendërmbrojtësin janë përfolur edhe destinacione të tjera sa i përket të ardhmes, Lazio duket se ka prioritet absolut për të.
Tek Milani duken të vendosur për t’u përforcuar në mbrojtje gjatë merkatos së verës, ku prej kohësh flitet se do të investojnë tek talenti i Lille, Sven Botman. Për këtë arsye, shifrat e rinovimit të propozuar me Romagnoli-n nuk mund të kalojnë shifrën e 2,5 milionë eurove në sezon. Për më tepër, duke parë rritjen në performancat e të riut Pierre Kalulu, Pioli duket se ka fituar edhe një element tjetër të rëndësishëm për prapavijën. Alesio Romagnoli është pjesë e Milanit që prej verës së 2015-ës, kur për kartonin e tij u shpenzuan 25 milionë euro, për ta shkëputur nga skuadra e Romës, klub ku edhe mbrojtësi është formuar.