Roma zyrtarizon trajnerin e ri portugez

Sport

Tashmë ka marrë gjithcka trajtë zyrtare: Paulo Fonseca është trajneri i ri i Romës. Pas gjetjes së akordit me Shahktjor Donetsk, klubi verdhekuq komunikoi afrimin e teknikut portugez, që ka firmosur kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Gjatë 3 sezoneve të fundit në krye të klubit të Shahjorit, Fonseka ka fituar kampionatin dhe kupën e Ukrainës. Ndërsa përpara skuadrës ukrainase ka drejtuar edhe Pacos Ferreira, Braga dhe Porton në Portugali. Ndërsa tani nis një përvojë të re në një nga 5 kampionatet më të fortë të Evropës, sic është Seria A.

Portugezi ka shprehur edhe fjalët e para pas zyrtarizimit si trajner i Romës. “Ndihem shumë i lumtur për këtë detyrë të re. Do të doja të falënderoja të gjithë drejtuesit e klubit për mundësinë që më dhanë. Jam entuziast dhe i motivuar nga sfida e rëndësishme që më pret. Mezi pres të nis punën në Romë dhe sidomos të takoj tifozët. Besoj se bashkë mund të krijojmë vërtet dicka speciale”, ishte deklarata e bërë nga trajneri 46-vjecar. Atij iu urua mirëseardhja nga presidenti verdhekuq Xhejms Palota, i cili ka zbuluar se zgjedhja e Fonsekës u mbështet tek fakti që është një teknik i ri ambicioz, me mentalitet fitues dhe me ide për të shpalosur një futboll sulmues, që mund të entuziasmojë tifozët e Romës.