Roma vazhdon ecurinë e mirë në javët e para të këtij sezoni të ri të Serie A. Në xhiron e 4, verdhekuqtë pritën Monzan në shtëpi, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0, e duke dëfryer tifozët që kishin mbushur shkallët e Olimpicos.
Për ekipin e drejtuar nga Jose Mourinho, shkëlqeu Paulo Dybala. E marta mbrëma ishte e tij. Argjentinasi shkëlqeu përpara publikut romanist, duke shënuar golin e parë dhe të dytë të sfidës, në minutat 18 dhe 32.
Këto finalizime, e ngjitën atë në kuotën e 100 golave të shënuar në Serie A përgjatë karrierës së tij, duke u bërë një prej 8 futbollistëve që e kanë prekur këtë shifër që prej sezonit 2004/05.
Më tej, golin e 3-të e shënoi mbrojtësi Ibanez, duke fituar duelin me kundërshtarët në zonë dhe e dërgoi topin me kokë në fundin e rrjetës.
Këtë sezon, në 4 javë, Roma ka shënuar gjithësej 6 gola, por ka pësuar vetëm një. Skuadra e Jose Mourinhos ka nisur të ndjekë me përpikmëri idetë e Special One dhe prapavija ka nisur të bëhet më e ekuilibruar.
Madje, në 6 ndeshjet e fundit zyrtare që verdhekuqtë kanë zhvilluar, duke përfshirë edhe dy të nga edicioni i shkuar, ata e kanë nxjerrë vetëm një herë topin nga rrjeta. I vetmi lojtar që i ka ndëshkuar, është Dusan Vlahoviç në ndeshjen e javës së shkuar në Allianz Stadium.
Megjithatë, Mourinho nuk është shumë i entuziazmuar nga ky fakt. Takticieni portugez preferon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke thënë se skuadra e tij nuk është perfekte, por ka ende vend për përmirësim.