Nga një sezon i nisur në mënyrën më negative të mundshme, Roma është kthyer në skuadrën me ecurinë më të mirë në Serie A. Kjo ka ndodhur të paktën përgjatë 5 takimeve të fundit, teksa skuadra e Claudio Ranierit numëron 1 barazim dhe 4 fitore të njëpasnjëshme. Në javën 27, verdhekuqtë triumfuan 2-1 në shtëpi përballë një kundërshtari të komplikuar sikurse është Como. Ndonëse të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë, me anë të Lucas Da Cunha në minutën e parafundit të pjesës së parë, në të dytën, historia ndryshoi. Saelemaekers dhe Dovbyk përmbysën shifrat për të zotët e shtëpisë, ndihmuar padyshim edhe nga kartoni i kuq të mori lojtari i Comos, Kempf. Kjo ecuri kaq pozitive e Romës, i dedikohet padyshim trajnerit Claudio Ranieri, i cili ia ka dalë që brenda një kohe të shkurtër të ndryshojë fatin e ekipit kryeqytetas dhe në njëfarë mënyre të kthejë shpresë për një sezon, që pak muaj më parë, dukej i dështuar. Thënë më qartë, që prej momentit kur Ranieri mori drejtimin e Romës, skuadra verdhekuqe ka mbledhur 30 pikë në 15 ndeshje të Serie A. Përgjatë kësaj periudhe, vetëm Interi me 33 dhe Napoli me 31 pikë kanë mundur të bëjnë më mirë. Si pasojë, Roma ka nisur të ngjisë shkallë të rëndësishme në tabelë, aqsa tani renditet në vendin e 8 në kuotën e 43 pikëve, duke u afruar gjithnjë e më shumë me zonën europiane.
