Roma e ka hedhur pas krahëve barazimin me Leçen në javën e kaluar dhe është rikthyer tek fitorja. Në javën e 23 të Serie A, skuadra e Jose Mourinho triumfoi minimalisht me rezultatin 1-0 ndaj Veronës në “Olimpico”.
Golin e vetëm të sfidës e shënoi Ola Solbakken në minutën e 45 të pjesës së parë. 24 vjeçari, pjesë e Romës që prej Janarit të këtij viti, është bërë tashmë vetëm norvegjezi I 3-të në histori që shënon një gol në Serie A me klubin verdhekuq.
Më tej, kjo ishte fitorja e 4 radhazi e ekipit të Jose Mourinhos në “Olimpico” sa I përket kampionatit dhe diçka e tillë ka ndodhur pa pësuar asnjë gol në mbrojtje. Një ecuri të tillë në shtëpi, ekipi kryeqytetas nuk e kishte parë që nga Nëntori I 2014-tës, atëherë kur drejtohej nga Rudi Garcia.
Fitorja ndaj Veronës, e ka ngjitur tashmë Romën në vendin e 3-të të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 44 pikëve, 3 më pak sesa Interi I vendit të dytë. Megjithaëse gara do jetë shumë e ashpër deri në fund të kampionatit, Mourinho do provojë që të sigurojë një vend për në fazën e grupeve të UEFA Champions League.
Lajmi I keq që tekniku portugez mori në takimin ndaj Veronës ishte dëmtimi I sulmuesit Tammy Abraham që në minutën e 15-të. Sulmuesi pësoi një lëndim në sy dhe si përfundim u largua nga fusha e lojës dhe në vend të tij u aktivizua Andrea Belotti.
Duke marrë parasysh objektivin e Romës, por gjithashtu edhe faktin që tashmë luhet faza më e rëndësishme e sezonit, Mourinhos nuk I mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojë që Abraham të kthehet sa më shpejt në dispozicion të tij, së bashku me të lënduarin tjetër, Paulo Dybala.