Roma e ka harruar humbjen me Interin dhe është rikthyer menjëherë në serinë e fitoreve. Në javën e 11-të të Serie A, skuadra e Jose Mourinhos ka triumfuar 2-1 me Leçen në shtëpi, në një ndeshje që momentet më dramatike të saj, i prodhoi pikërisht në minutat e fundit.
Pasi që në të 5-tën minutë, Romelu Lukaku kishtë shpërdoruar një penallti për vendasit, miqtë kaluan në epërsi në të 71-tën me anë të Alqvist, duke e dërguar situatën në një drejtim, aqsa mbi qiellin e Olimpicos nisën të dukeshin re të zeza. Kështu do të ishte deri në minutën e 91, kur Azmoun barazoi rezultatin, kurse në të 94-tën, Romelu Lukaku përmbysi shifrat, duke i dhënë kësisoj 3 pikë ekipit të tij.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Romës në Serie A, që të shënonte të paktën 2 gola në kohën shtesë. Po ashtu, Roma është skudra e parë e kampionatit italian këtë sezon që ka realizuar 9 gola pas minutës së 75-të takimit.
Më tej, vlen për t’u përmendur edhe nisja e mirë e këtij sezoni me Romën, e sulmuesit Romelu Lukaku. Me 6 gola të shënuar në 9 ndeshjet e para në Serie A me ekipin verdhekuq, Lukaku është bërë kësisoj lojtari i dytë debutues më i mirë i klubit verdhekuq, duke nisur që nga sezoni 1994/95. Vetëm Batistuta ka bërë më mirë sesa belgu, me 10 gola në ndeshjet e para.
Si pasojë e kontributit të Lukakut, apo edhe lojtarëve të tjerë të skuadrës, Roma është ngjitur në vendin e 7 të klasifikimit në kuotën e 17 pikëve dhe zona Champions tani është vetëm 4 pikë larg.