Dështimi i transferimit të Malcom në Romë ishte një goditje e madhe për tifozët verdhekuq, të cilët kishin dalë pranë aeroportit të kryeqytetit italian për të pritur brazilian. Ky i fundit nuk zbarkoi kurrë në Itali, pasi zgjodhi Barcelonën si klubin e tij të ri. Monchi zbuloi prapaskenat e kësaj historie, ku shpjegon se gjithçka ndodhur në harkun kohor të 1 ore. Njeriu i merkatos verdhekuqe thotë se marrëveshja mes tij dhe presidentit të Bordeaux ishte arritur dhe lajmi u bë zyrtar në rrjetet sociale. Por vetëm 1 orë pas kësaj, Barcelona ishte paraqitur më një ofertë tek francezët. Monchi tregon se mori miratimin nga presidenti Pallota për të bërë një ofertë më të madhe se katalanasit, pasi Pallota e donte brazilianin në skuadrë. Por duket se dëshira e lojtarit ka qenë ajo që ndoshta ka vendosur edhe përfundimin e kësaj historie.
Kështu Monchi duhet të bëjë që kjo histori të harrohet sa më shpejtë tek tifozët e Romës. Alternativat e Malcom janë të shumta. Objektivi më i mundshëm është Domenico Berardi. Sassuolo kërkon të paktën 30 milionë euro për lojtarin, një shifër që për Romën duket disi e lartë, por që do të kursenin një vend ekstra-komunitar në skuadër.
Hakim Ziyech i Ajax është dëshira më e madhe e drejtuesve të Romës, por për lojtarin në fjale ka konkurencë të madhe. Kartoni i 25-vjeçarit vlerësohet mbi 30 milionë euro, por me interesimin e lartë të skuadrave të tjera për të, ky çmim mund të rritet ndjeshëm. Emri tjetër është ai i Leon Bailey të Bayer Leverkusen. 20-vjeçari nga Jamaica është cilësuar si një nga talentet më të mëdha të momentit, dhe gjermanët nuk kanë ndërmend të heqin dorë prej tij pa arkëtuar mbi 40 milionë euro. Por për këtë shumë, Monchi mund të hyje në bisedime me Fiorentinën për Chiesan, që mbetet ëndrra e shumë skuadrave italiane.