Roma ndjehet e vjedhur, Palota: I lodhur me këtë m…t!

Sport

roma

Roma i tha lamtumirë Champions League, duke humbur 3-1 në kohët shtesë kundër Portos në stadiumin “Do Dragao”. Dhe pësoi një tjetër zhgënjim pas asaj humbjeje në derbin kundër Lacios, aq sa trajneri Di Francesco është në diskutim, teksa flitet për Ranierin. Mirëpo më shumë polemika ka shkaktuar fakti që një penallti vendosi ndeshjen në shtesë, ndërkohë që nga ana tjetër verdhekuqve u mohua një tjetër për rrëzim të Schick në zonë në minutën e 120. Dëshpërimi i romanistëve është i madh, gjë që është kuptuar prej deklaratave të lojtarëve, por edhe të presidentit Palota, të cilët kanë dalë hapur kundër gjyqtarit Cakir në raport me VAR-in. Reagimi i kreut të klubit, Xhejms Palota ka ardhur përmes profilit në Tuiter të klubit roman dhe nuk i ka lënë hapësirë interpretimeve. “Vitin e kaluar kërkuam VAR-in në Champions League, sepse na kishin prishur gjysmëfinalen. Por edhe këtë radhë me Porton, edhe pse ekzistonte sistemi teknologjik në ndihmë të gjyqtarëve, sërish u vodhëm. Schick u rrëzua në zonë, VAR-i e tregoi qartë, por gjyqtari nuk bëri asgjë. Jam i lodhur me të gjithë këtë, nuk kam më fjalë!”.

xhejms palota
Hidhërim edhe në fjalët e kapitenit De Rosi, autor i golit të barazimit të përkohshëm 1-1 me penallti, por që më pas u detyrua të dalë nga fusha për shkak të një problemi fizik. “Nuk mund të bëjmë dot gjë, përveçse të pranojmë. Por ajo që ndodhi është e tmerrshme…. Gjyqtari na dha sqarime shumë konfuze. I pamë disa herë imazhet dhe mendojmë se është dukshëm penallti. Më mirë do të kishte qenë të eleminoheshim, pas ekzekutimit të 11-metërshave”.
Më i ashpër në fjalët e tij ka qenë greku Manolas: “Të vjen keq që nuk dha një penallti të pastër në fund. Nuk e kuptoj përse gjtyqtari, në rastin e Portos shkoi ta shihte në VAR, ndërsa për rastin tonë nuk shkoi. Ky është një turp. Na tha se nga salla e VAR-it i kishin komunikuar se nuk kishte asgjë… Por nuk e kuptoj përse këto gjëra na ndodhin vetëm neve. Me të vërtetë është një gjë qesharake. E njëjta gjë ndodhi edhe vjet kundër Liverpulit, ku nuk na dhanë dy penallti. E pastaj na kërkuan falje. Por ndjesa nuk shërben për asgjë në futboll!”, ka përfunduar mbrojtësi grek.