Me ardhjen e Pranverës, ka nisur të lulëzojë edhe sezoni i Romës në Serie A. Gjashtë fitoret radhazi në kampionat, kanë bërë që skuadra e kuqe të ngjitet deri në vendin e 7 të tabelës së klasfifikimit. Nëse marrim parasysh që deri në fund, topi do të lëvizë edhe për 9 javë të tjera, atëherë, Roma ka të gjithë të drejtën të ëndërrojë dhe të besojë, se mund të kualifikohet në Champions League. Vendi katërt që mbahet nga Bologna është vetëm 4 pikë larg, kështu që gjithçka duket e mundur.
Në lidhje me këtë situatë, ka folur vetë trajneri i Romës, Claudio Ranieri. 73 vjeçari është pikërisht personzhi që arriti të kthente në favor, një edicion të pashpresë, me skuadrën që për një moment, ishte afër vendeve të fundit të tabelës së klasifikimit.
Për mediat, me zonën Champions në horizont, Ranieri ka thënë se tani vjen pikërisht pjesa më e bukur e sezonit, por njëkohësisht edhe më e vështira.
“Nuk jam aspak i surprizuar nga situatat ku jemi tani, sepse unë jam gjithmonë pozitiv me lojtarët e mi. Kur erdha këtu, gjeta një grup të fortë, por ata kishin humbur vetëbesimin. Punuam në këtë drejtim dhe ishin lojtarët ata që e ndryshuan situatën. Kjo është pjesa më e bukur, por njëkohësisht edhe më e vështira. Megjithatë, duhet të vazhdojmë të luajmë me freski dhe dëshirë, për t’i bërë tifozët të dashurohen pas nesh., ka deklaruar ndër të tjera tekniku roman.
Me 6 fitore radhazi, Roma është skuadra me ecurinë më të mirë të momentit në Serie A. Mbetet për t’u parë se çfarë rezultatesh do të prodhojnë javët e ardhshme për Romën, pasi deri në fund, kalendari rezervon relativisht përballje të vështira.