Që pasi Barcelona i rrëmbeu Malcom në momentet e fundit, tek Roma vazhdojnë të jenë në kërkim të një përforcimi në krahun e djathtë të sulmit. Verdhekuqtë kanë ndjekur me kujdes situatat e lojtarëve si Leon Bailey i Leverkusen apo Federico Chiesa të Fiorentinës. Mirëpo arritja tek këto emra do të kërkonte shumë punë dhe para nga ana e Romës. Kështu, Monchit i ka lindur një ide tjetër. Siç raporton edhe “Corriere dello Sport”, numri 1 i merkatos së kryeqytetasve italiane po mendon për një shkëmbim mes Suso dhe Perotti.
E përditëshmja italiane madje shkon më tej duke thënë se ka patur edhe bisedime mes Monchit dhe agjentit të lojtarit spanjoll të Milanit, Alessandro Lucci, kur ky i fundit ishte paraqitur në Romë për rinovimin e një tjetër lojtari nën menaxhimin e tij, Florenzit. Sipas asaj që raportohet, agjenti i Susos, duke parë edhe marrëdhëniet e mira që ka me Monchin, ka dhënë pëlqimin e tij që ky shkëmbim të realizohet. Tek Milan, Suso për trajnerin Gattuso konsiderohet i pashitshëm, por pas skadimit të klauzolës prej 38 milionë eurosh për spanjollin, drejtuesit e rinj të kuqezinjve janë të gatshëm të dëgjojnë oferta që mund të vijnë në drejtim të spanjollit.