Roma humbet mbrojtësin grek Kostas Manolas për së paku 1 muaj. Sikurse ka raportuar klubi verdhekuq, 26-vjecari ka vuajtur një tërheqje muskulore të shkallës së parë. Mbrojtësi u lëndua në përpjekje për të larguar një top në humbjen 1-0 që Roma vuajti në fundjavë kundër Napolit. Sipas komunikatës për shtyp të lëshuar nga klubi, greku ka lënduar muskulin e brendshëm të kofshës së majtë. Lëndimi i Manolas është i 12-ti sezonal për skuadrën e Eusebio Di Francescos. Mbrojtësit e vetëm që ka tashmë në dispozicion italiani janë Fazio dhe Juan Jesus. Në Trigoria janë jashtë loje Kardorp, Defrel, Emerson dhe sulmuesi Schick. Përvec këtyre të lënduarve, probleme të shpeshta kanë hasur edhe El Shaarawy, Strootman, Bruno Peres, Nura, Hector Moreno, Pellegrini dhe Perotti. Di Francescos i është dashur të riformulojë skuadrën pothuajse në çdo javë. Ngushëllimi i vetëm është rikthimi i Florenzit, i cili mund të luajë edhe në krahë të mbrojtjes, por ky i fundit u pa në një formë të dobët në përballjen me Napolin. Shtypi italian raporton se me këtë gjendje, ku Manolas do të mungojë edhe një muaj, Romës i duhet me patjetër ndërhyrje në merkato. Sidoqoftë trajneri Di Francesco është shprehur me këmbëngulje se bazat e lojës së tij janë hedhur, por që fati në disa ndeshje nuk e ka ndihmuar skuadrën të marrë rezultatet.