Roma dhuron spektakël në javën e 23 të kampionatit italian. Në Olimpico, verdhekuwte fituan me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Cagliari dhe në këtë mënyrë janë ngjitur në vendin e 5 të tabelës së renditjes, në kuotën e 38 pikëve. Zona Champions tashmë është vetëm një pikë larg, pozicion që mbahet nga Atalanta, por që duhet theksuar se ekipi bergamask ka një ndeshje të prapambetur, atë me Interin, e mbetur pa luajtur, për shkak të angazhimit në Superkupë të skuadrës zikaltër.
Takimi në Olimpico u zhbllokua vetëm pas një minute e një sekonde lojë dhe mbajti firmën e Lorenzo Pellegrinit. Ky ishte goli më i shpejtë i shënuar nga Roma në një ndeshje të Serie A që prej Marsit të 2022-shit ndaj Lazios. Gjithashtu, ky ishte goli më i shpejtë shënuar këtë sezon në Serie A.
Më pas, dy golat e tjerë, do të shënoheshin nga Paulo Dybala, finalizimet e të cilit kanë rezultuar mjaft të rëndësishme për lojtarin. Mengjarashi është ngjitur në kuotën e 118 golave në Serie A, duke u kthyer kësisoj në argjentinasin e pestë me më tepër finalizime në kampionatin italian, duke parakaluar Abel Balbon me 117 gola.
Me 4 gola të tjerë, Dybala do të parakalonte Mauro Icardin që renditet më 121 gola, kurse në vendin e tretë është Gonzalo Higuain me 125 gola. Më pas, dy vendet e para janë më të shkëputur, me Batistutën dhe Crespon që kanë konkretisht nga 184 dhe 153 gola, si argjentinasit me më tepër finalizime në Serie A.
Po ashtu, vlen të përmendet se kjo ishte fitorja e 3 radhazi e trajnerit Daniele De Rossi në krye të Romës në po kaq ndeshje të zhvilluara në kampionat. Ish- mesfushori e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në kampin verdhekuq shpresojnë që ecuria të vazhdojë me këto ritme.