Roma eliminohet nga Kupa, Jose Mourinho kritikon Var-in

Sport

Roma është eliminuar nga Kupa e Italisë, duke u mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Lazio, duel i vlefshëm për raundin çerekfinal. Golin e vetëm të sfidës e shënoi Zacagni në minutën e 51 nga pika e bardhë e penalltisë, me rezultatin që më pas, mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.

Pikërisht një episod i tillë u kritikua jo pak nga trajneri Jose Mourinho në fund të ndeshjes. Trajneri portugez, nuk i kurseu kritikat ndaj sistemi VAR.

“Sonte u mposhtëm nga një penallti e akorduar nga VAR dhe jo nga arbitri që ishte në fushë dhe që ishte vetëm 3 metra larg aksionit. Ishte e nevojshme për t’u parë një video në mënyrë që të merrej një vendim i tillë. 20 vite më parë, lojtarët nuk do të manipulonin në fushë sikurse bëjnë sot”, ka deklaruar ndër të tjera tekniku 60 vjeçar.

Teksa Roma kthehet duarbosh në shtëpi, Lazio vijon rrugëtimin në gjysmëfinale të Kupës, me trajnerin Maurizio Sarri që arrin të fitojë një tjetër derbi. Që prej kohës kur Sarri mori drejtimin e Lazios, në sezonin 2021/22, Lazio ka fituar 4 nga 6 derbet e luajtur ndaj Romës, duke regjistruar më tej, një barazim dhe një humbje. Trajneri i fundit i Lazios që e regjistronte një statistikë të tillë në 6 derbet e para ndaj Romës, është Goran Eriksson, nga viti 1997, e deri në 1999-tën.

Sakaq, skuadra tjetër e kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë është edhe Fiorentina, që në çerekfinale, mposhti Bolognan nga pika e bardhë e penalltive, teksa më herët, koha e rregullt dhe shtesa, u mbyll pa gola. Ky është edicioni i tretë radhazi që ekipi vjollcë shkkon deri në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, diçka që për Fiorentinën ka ndodhur për të parën herë në historinë e klubit.