Roma dhe Napoli barazojnë në “Olimpico”

Sport

Ashtu sikurse në derbin mes Milanit dhe Interit, edhe ndeshja mes Romës dhe Napolit është mbyllur në barazim 1-1. Miqtë kaluan që në pjesën e parë në avantazh, me anë të Leonardo Spinazzola në minutën e 29, epërsi që do ta ruanin thuajse deri në limite. Ndoshta, të kaltërit ishin duke u bërë gati të festonin, mirëpo Roma nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Në minutën e 92, Angelino u koordinua mjaft mirë pas krosimit të Saelemaekers dhe e dërgoi topn në rrjetë, duke barazuar kësisoj rezultatin e ndeshjes.

Në 5 sezonet e fundit, Roma është skuadra me më shumë gola të shënuar pas minutës së 90 në Serie A, plot 28 gola, duke lënë pas Lazion me 27 në vendin e dytë. Në këtë mënyrë, Napoli nuk mundi të përfitonte dot nga barazimi i Interit dhe të shkëputej më tepër në renditje, por distanca ka mbetur e njëjtë. Të besuarit e Antonio Contes janë në vendin e parë me 54 pikë, 3 më tepër sesa zikaltërit e vendit të dytë.

Në javën e ardhshme, Napoli do të përpiqet të rikthehet sërish tek fitorja në Serie A, teksa do të presë Udinesen në shtëpi. Nga ana tjetër, Roma, ka shkuar në 8 ndeshje radhazi pa humbje në Serie A dhe si pasojë, është ngjitur në vendin e 9. Javën e ardhshme, verdhekuqtë do të luajnë ndaj Venezias në transfertë.