Është zhbllokuar më në fund tratativa mes Romës dhe Sevillas për mesfushorin Steven N’Zonzi. Francezi do të jetë pjesë e italianëve nga viti i ardhshëm, pas marrëveshjes që drejtori i verdhekuqve, Monchi, arriti me drejtuesit e klubit andaluzian. Plot 30 milionë euro , plus bonuse do të shkojnë në arkat e Sevillas, që kërkonte ekzaktësisht këtë shumë parash për t’u privuar nga 29-vjeçari. Mesfushori francez ishte objektiv i kryeqytetasve italiane prej kohësh, pasi shihet si zëvendësuesi i të larguarit Nainggolan. Di Francesco kishte këmbëngulur se i nevojitej një mesfushor i fortë, që garanton kilometra e që mund të ndalë aksionet e kundërshtarëve.
Në Itali, ai cilësohet si njeriu që i duhej Romës. N’Zonzi do të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare me Romën, më pagë 3 milionë euro në sezon plus bonus. Arritja e kësaj marrëveshjeje u bë falë marrëdhënieve të mira të Monchi me Sevillan, por edhe për shkak të dëshirës së vetë lojtarit për të ndryshuar ambjent. Ardhja e N’Zonzi tek Roma, i hap rrugën një largimi të mundshëm të Maxime Gonalons, për të cilin kanë shfaqur interes skuadra të ndryshme, ndërsa vetë lojtari ka kërkuar të ketë më shumë minuta në dispozicion.