Nëse ka një lojtar që ka tërhequr më së shumti vëmendjen te Roma këtë vit, ai është padyshim portieri Alisson Becker. Braziliani 25-vjecar ka shkëlqyer me plot ndeshje duke dhënë kontributin e tij sidomos në UEFA Champions League, atje ku në sfida si ato me Atleticon apo dhe me Shakhtarin arriti të mbajë rezultatet që i nevojiteshin verdhekuqve. Pikërisht për këtë formë të treguar, ish-portieri i Internacionalit është vënë nën shënjestrën e plot klubeve të mëdha, prej të cilëve Reali i Madridit dhe Liverpooli kanë qenë ato që janë përfolur se kanë bërë përpara me oferta 60 apo 70 milionë euroshe.
Përballë këtyre lajmeve agjenti i portierit brazilian, Ze Maria Neis, ka dalë hapur duke qetësuar tifozët e Romës. “Alisson e dashuron këtë qytet dhe këtë skuadër dhe absolutisht nuk kemi folur me asnjë klub tjetër” – ishte deklarata e tij. Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi drejtori sportiv i verdhekuqve, Monchi, tha se do të përpiqej t’i ofronte lojtarit një ripërtëritje kontrate, por që nga ana tjetër nuk shqetësohej shumë nga situata e tij. Alisson u soll në Romë 2 vite më parë për shifrat e 8 milionë eurove. Ai u konsiderua si zëvendësues i polakut Szczesny, por largimi i tij me destinacion Juventusin i dha një shans të artë për të treguar vlerat, shans që nuk është hedhur aspak tutje nga Alisson, aq sa të mbrojë edhe portën e kombëtares braziliane në plot 22 ndeshje deri më tani.