Skuadra e Real Madrid mund të mos jetë në momentin më të mirë të saj, por e ardhmja duket se është në ‘duar të sigurta’. Dy talentet brazilianë, Vinicius Junior dhe Rodrygo Silva kanë dhuruar spektakël në fitoren 2-0 ndaj Osasunas, ku secili shënoi nga një gol. I pari që hapi llogarinë e ndeshjes ishte Vinicius, që me një goditje plot klas nga distanca mposhti portierin kundërshtar. Ndërsa Rodrygo u hodh në fushë në pjesën e dytë. Mjaftuan vetëm 92 sekonda që 18-vjeçari të gjente golin e debutimit me fanellën ‘los blancos’. Debutim më të mirë tek madrilenët ka bërë vetëm Ronaldo fenomeni, të cilit iu deshën vetëm 62 sekonda për të shënuar kundër Alaves në vitin 2002. Si Vinicius, edhe Rodrygo pëlqehen shumë nga ana e trajnerit Zidane.
Përkrahja e teknikut francez do të jetë diçka vendimtare përgjatë këtij sezoni për të dy lojtarët. Vinicius e ka treguar edhe më herët se mund të jetë një element mjaft i vlefshëm për Real Madrid, ndërsa ndaj Osasunas, edhe Rodrygo shfaqi qetësinë e duhur, në një ndeshje të rëndësishme për ‘los blancos’. Në Spanjë, mediat thonë se ringritja e Realit duhet të bëhet pikërisht me inkuadrimin e të rinjve. Prezenca e lojtarëve me eksperiencë si Ramos, Modric apo Eden Hazard, do të jenë një faktor plus për Vinicius, Rodrygon apo edhe talente të tjera të organikës së Realit. Të dy brazilianët kanë refuzuar gjithmonë krahasimet që janë bërë me Cristiano Ronaldon, apo edhe me ‘fenomenin’ brazilian. Të dy lojtarët janë shfaqur modestë pas ndeshjes me Osasunan dhe për trajnerin Zidane, kjo është një shenjë pjekurie që shfaqin të dy talentet.