Robin van Persie parashikon fituesin e Premier League

Sport

Kur deri në mbyllje të Premier League kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, Robin van Persie ka bërë një parashikim të garës për titullin kampion, mes Arsenalit kryesues dhe Manchester Cityt të vendit të dytë.

Gunners kryesojnë me 69 pikë, 8 më tepër sesa Cityzens, por këta të fundit kanë luajtur një ndeshje më pak.

Ish-sulmuesi I londinezëve, I cili rreth një dekadë më parë, nuk u largua në mënyrën më të mirë të mundshme nga Emirates, gjithësesi, është kthyer të mbështesë ish-klubin e tij.

“Në këtë periudhë të sezonit, çdo pikë e mundshme ka një vlerë të rëndësishme. Arsenali kaloi një moment të vështirë, mirëpo ata u rikthyen sërish, ashtu sikurse di të bëjë një skuadër që aspiron për titullin kampion.

Pikërisht kjo fazë është shumë e vështirë dhe do bëhet mjaft interesante për t’u parë. Personalisht mendoj se Arsenali do ia dalë mbanë dhe do arrijë ta fitojë titullin. U bë një kohë e gjatë që prej suksesit të fundit, kështu që do të jem I lumtur nëse ata do të triumfojnë”, ka cituar ndër të tjera hollandezi, I cili me një deklaratë të tillë, mund të ketë ngrohur disi zemrat e ftohta të tifozëve të Arsenalit.

Gjithësesi, me garën për titullin që duket shumë e ashpër, ndeshja vendimtare mund të konsiderohet ajo e datës 26 Prill, atëherë kur City dhe Arsenali do përplasen mes tyre në Atihad, duel I vlefshëm për javën e 33 të Premier League.