Roberto Martinez zyrtarizohet si trajner i Portugalisë: CR7 në planet e mia

Sport

Roberto Martinez është emëruar zyrtarisht trajner i Portugalisë. Pasi i dha fund epokës me Belgjikën, tekniku 49 vjeçar tashmë ka marrë drejtimin e luzitanëve, duke zënë vendin e të larguarit Fernando Santos. Me Portugalinë, Martinez ka firmosur një kontratë deri në korrik të 2026-tës.

Në fjalët e tij të para si timonier i 1 herë kampionëve të Europës, spanjolli është shprehur se synimi i tij është që krijojë një grup sa më të fortë për kualifikueset e Euro 2024.

“Jam krenar që do kem mundësinë të drejtoj një prej skuadrave më të talentuara në botë. E kuptoj se pritshmëritë ndaj nesh do jenë të mëdha, por të gjithë së bashku mund të arrijnë objektivat tona”, ka thënë fillimisht Martinez.

Më tej, numri një i stolit të përfaqësueses portugeze nuk i është shmangur dot pyetjeve rreth situatës së Cristiano Ronaldos, duke marrë parasysh të gjitha ngjarjet e fundit që ndodhën me 5 herë fituesin e Topit të Artë në Kupën e Botës në Katar, i cili në dy ndeshjet e fundit mbeti jashtë formacionit titullar.

Megjithatë, Roberto Martinez nuk ka hezituar të japë përgjigjen e tij në lidhje një futbollist si Ronaldo.

“Dua të kontaktoj të 26 lojtarët që ishin pjesë e Kupës së Botës. Cristiano është pjesë e asaj liste. Unë dua që të ulemi dhe të bisedojmë me sulmuesin, i cili është golashënuesi më i mirë i historisë së kësaj përfaqësueseje me 118 finalizime”, ka thënë tekniku në fjalë.

Roberto Martinez do e nisë zyrtarisht punën e tij në krye të Portugalisë në Mars të këtij viti, kur Portugalia e tij do luajë përballë Liechtenstein dhe Luxembourg, ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.