Robert Lewandowski kërkon publiksiht largimin nga Bayern Munich. “Historia ime me Bayerin është e mbyllur. Pas asaj që ka ndodhur përgjatë muajve të fundit, nuk mund ta imagjinoj dot se mes nesh do ketë një tjetër marrëveshje. Ata janë një klub serioz dhe shpresoj të mos dalin kundër dëshirës time. Një transferim në një skuadër tjetër, mendoj se do ishte zgjidhja më e mirë për të dyja palët”, është deklarata më e fundit e Lewandowskit, nga grumbullimi me përfaqësuesen e Polonisë.
Mesazhi është shumë i qartë. 33 vjeçari nuk e konsideron më të ardhmen në Allianz Arena. Pavarësisht se ka edhe një vit kontratë me kampionët e Gjermanisë, lojtari në fjalë është i vendosur që të luajë diku tjetër.
Kjo deklaratë e sulmuesit, nuk i ka pëlqyer aspak Drejtorit të Përgjithshëm të klubit bavarez, Olivier Kahn. “Nuk mund t’ju tregoj përse Lewandowski po kërkon të largohet, por këto deklarata publike nuk janë në dobi të askujt. Lew ka fituar shumë tituj këtu dhe ai duhet të vlerësojë këtë fakt”, ka thënë ndër të tjera, legjenda e portës bavareze.
Dukshëm, mes palëve mund të ketë patur konflikt përgjatë muajve të fundit, pavarësisht se në asnjë anë nuk kanë preferuar të flasin publikisht mbi këtë çështje.
Sa i përket të ardhmes së polakut, klubi më i interesuar për të siguruar shërbimet e tij është Barcelona, mirëpo katalanasit ndodhen mes telasheve për shkak të krizës financiare që ka pushtuar klubin përgjatë viteve të fundit. Megjithatë, nuk pritet të jetë e largët dita kur të mësojmë përfundimisht destinacionin tjetër të Robert Lewandowskit.