Për dy javë me radhë, Liga e Kampionëve do të rikthehet të marrë vëmendjen kryesore të futbolldashësve anembanë Europës e jo vetëm, përmes 4 cifteve çerekfinale, që do të vijnë ekskluzivisht në kanalet TRING SPORT HD. Sigurisht, shoqëruar edhe me analizat para dhe pas ndeshjeve në Studio “Champions”. Të martën zbresin në fushë 3 ekipe angleze, nga 4 që kanë mbetur. Interes të veçantë përbën derbi Totenham-City, dy ekipet e vetme ndër 8 më të mirat e këtij edicioni, që nuk e kanë ngritur asnjëherë trofeun e kampionit të Evropës. Për më tepër, sfida e parë do të luhet në stadiumin e sapopëruruar të Totenhemit. E nuk ka rast më të mirë që “Spurs” të kërkojnë të nisin sa më mbarë edhe këtë fazë të rrugëtimit të tyre kontinental. Ndërsa ‘Citizens’ duan të shmangin atë që ndodhi edicionin e kaluar, kur u eleminuan në cerekfinale nga një tjetër skuadër angleze, si Liverpuli.Pikërisht, ‘Reds’ do të jetë formacioni tjetër nga Premier League që do të zbresë në fushë të martën mbrëma, teksa presin Porton për një përsëritje të përballjes së vjetshme të 1/8-ave të finaleve. Ai rezultat i atëhershëm 5-0, i fiksuar që takimin e parë në shtëpinë e portugezëve, ngjan sikur gjërat do të jenë të lehta për Liverpulin. Por në fakt, situata ka ndryshur, përderisa Sergio Conseiaso duket se i ka dhënë Portos soliditet në mbrojtje, ndërsa nga ana tjetër “Reds” mund të shpërqendrohen nga objektivi që kanë për të fituar titullin kampion pas 29 vjetësh në një kohë kur po duelojnë fort me Sitin në Premier League.
E mërkura do t’i rezerovohet supersfidës së shumëpritur Manchester Junaited-Barcelona. Bëhet fjalë për një duel që do të pasurojë më tepër historinë e përplasjeve midis këtyre skuadrave në Champions. Dy herët e fundit që katalanasit kanë fituar ndaj “Djajve të kuq” ka qenë në finalet e 2009-s dhe 2011-s. Kurse 2 rastet e fundit që Junaited ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve, e ka bërë pasi ka mundur pikërisht Barcelonën në rrugëtimin e vet. Precedenti më i freskët ishte në gjysmëfinalen e vitit 2008-s.Ajaks-Juventus do të përmbyllë programin e këtyre sfidave të vajtjes, me bardhezinjtë që synojnë të kenë të gatshëm njeriun e Champions-it, Cristiano Ronaldon për transfertën në Amsterdam. Kurse Holandezët janë në ankth për shkak të një problemi fizik të Frenkie De jong që mund të rrezikojë praninë e tij kundër kampionëve të Italisë. Sidoqoftë, shpresat janë që si Ronaldo, ashtu edhe De Jong të jenë në fushë për një përballje, që do të shtojë dozat e emocionit të kësaj mesjave të futbollit evropianit.