Rio Ferdinand ka qenë padiskutim një nga lojtarët kyç të Manchester United, ku së bashku me Ronaldon, Scholes dhe nën udhëheqjen e Sir Alex Ferguson i dhuruan tituj “djajve të kuq”. Problemet brenda skuadrës që po kalojnë aktualisht në “Old Trafford”, i komenton edhe 39-vjeçari, që nuk nguron të sulmojë në mënyrë direkte trajnerin Jose Mourinho.
Ish mbrojtësi i Manchester United, ka thënë se trajneri portugez ka sjellë shumë negativitet te lojtarët me deklaratat e bëra së fundi. Mourinho gjatë ndeshjeve përgatitore të Manchester United, pati thënë se nuk ishte i kënaqur me lojtarët e rinj, të cilët edhe i fajësonte për rezultatet jo të mira të skuadrës së tij.
“Ka shumë negativitet në brendësi të Manchester United në këto momente”, ka thënë Ferdinand, i cili ka qenë pjesë e “djajve të kuq” që nga viti 2002 deri në vitin 2014.
“Kur jeni pjesë e një skuadre dhe shihni aq shumë negativitet nga personi që supozohet t’ju drejtoj, asgjë e mirë nuk do të arrihet, pavarësisht yjeve që mund të ketë skuadra. Mourinho duhet t’u japë besim të gjithëve dhe jo të vërë gishtin për të gjetur fajtorin sa herë ai dështon.”
Rio Ferdinand nuk është i pari nga ish-lojtarët e Manchester United që ka kritika për trajnerin Mourinho. Edhe Wayne Rooney, tashmë i transferuar në Amerikë, shprehej se problemet që ka krijuar Mourinho me lojtarë si Anthony Martial mund t’i shkaktojnë jo pak dëme klubit legjendar të Manchesterit.