Një nga figurat më të rëndësishme të Manchester United gjatë dekadës së kaluar mund të rikthehet në klub. Ish-mbrojtësi anglez, Rio Ferdinand ka pranuar hapur se ekziston një mundësi e mirë që ai të bëhet sërish pjesë e klubit duke marrë një rol drejtuesi. Ferdinand është shprehur se që prej ditës që është larguar nga United, ka patur kontakte të vazhdueshme me Ed Woodward, zëvendës-presidenti ekzekutiv i klubit, apo edhe me të tjerë drejtues, duke ruajtur edhe marrëdhëniet shoqërore. Duke qenë se Manchester United kërkon që të zgjerojë disi stafin menaxhues të skuadrës, ‘djajtë e kuq’ kërkojnë të punësojnë një drejtor sportiv. Pikërisht për këtë gjë, Ferdinand ka folur me Ed Woodward, me këtë të fundit që ka konfirmuar se ish-mbrojtësi është një alternativë kryesore për këtë detyrë. Rikthimi në klub për Ferdinand do të ishte një privilegj i madh dhe thotë se është gati të bëjë çdo gjë që i kërkohet për të dhënë kontributin e tij tek Manchester United. Megjithatë, ish-mbrojtësi anglez është i vetëdijshëm se nuk e ka të garantuar marrjen e këtij posti. Edhe në këtë rast, Ferdinand thotë se nuk do të mërzitej, pasi e di që me kohën do të vijë edhe momenti i tij. Për momentin, me çështjet e merkatos është marrë vetë Ed Woodward. Ardhja e një drejtori sportiv do të bënte që Woodward të përqëndrohej tek ana komerciale ndërsa trajneri Solskjaer do të kishte dikë mjaft të njohur për të punuar së bashku për përforcimin e skuadrës.